Celulari më i hollë me tastierë QWERTY

Telefoni më i ri i mençur (smartphone) i Nokias, E71, ka filluar të paraqitet në recensione dhe të dëshmohet si një pajisje më interesante sesa që kemi menduar fillimisht.
Nga paralajmërimi i mangët i para pak kohe mbi modelet e reja të Nokias, E66 dhe E71 nuk është lënë të kuptohet shumë përveçse bëhet fjalë për telefona të mençur.
Mirëpo, E71 në fakt duket të jetë një pajisje shumë interesante. Pikësëpari, bëhet fjalë për smartphone-in më të hollë (10 milimetra trashësi) me tastierë të plotë QWERTY. E as mundësitë e tij nuk janë të këqija: Në të është edhe memoria e integruar prej 110 MB me mundësi të zgjerimit nëpërmes kartelave microSD, Bluetooth, WiFi dhe A-GPS. Bateria zgjat njëzet ditë në pritje dhe 10.5 orë bisedë.
Kamera ka rezolucion prej 3.2 megapikselësh, derisa mangësia e tij e vetme eventuale është ekrani diç më i vogël, respektivisht me diagonale prej 2.36 inçësh. Mirëpo, edhe ashtu është shumë afër standardit për këtë lloj të pajisjeve afariste.
Nokia E71 do të kushtojë 500 dollarë amerikanë në SHBA, derisa nuk dihet saktë se kur do të paraqitet në Evropë.
www.nokia.com