Dizajnoni celular dhe fitoni 10 mijë dollarë
Me hapjen e garës për dizajn të pajisjeve – ku shfrytëzuesit dërgojnë punimet e tyre – prodhuesi jugkorean LG nuk e ka zbuluar ujin e nxehtë, mirëpo është i fundit në vargun e prodhuesve që ka vendosur për një hap të tillë.
Gjiganti i elektronikës shpenzuese, kompania LG, ka hapur garën me emrin “Innovation Challenge”, e cila ka për qëllim përzgjedhjen e dizajnit më të mirë nga disa prej modeleve të ardhshme të celularëve. Pjesëmarrësit e garës LG i fton të zbulojnë “celularin e tyre të ëndrrave”, derisa tri zgjidhjet më të mira do të shpërblehen me shpërblime të majme.
Afati për dorëzimin e punimeve është i hapur deri më 30 prill, përderisa fituesit do të publikohen më 31 maj. Pronarit të zgjidhjes më të mirë LG do t’i dorëzojë dhjetë mijë dollarë të thata, televizor LCD me diagonale prej 52 inçësh, pajisjen HD-DVD/Blu-ray si dhe modelin më të ri të LG-së.
Për fat të keq, në garë mund të marrin pjesë vetëm banorët e SHBA-së, kështu që nëse doni të bëni për veti kombinimin fitues për dizajnin e celularit, gjeni sa më parë ndonjë kushëri që e keni humbur në Amerikë, që të mund të dorëzojë propozimin në vend tuajin.
lginnovation.com
|