Firefox për Guinness

Mozilla u pat bërë thirrje shfrytëzuesve që në ditën e lansimit të Firefox 3 të shkarkojnë shfletuesin nga faqja e tyre dhe kështu të tentojnë të vendosin rekord në numrin e shkarkimeve brenda një dite të vetme. Komisioni i librit të rekordeve Guinness ka njoftuar se ata edhe kanë arritur të korrin sukses, që nuk është për tu çuditur, sepse kjo është hera e parë që dikush ka tentuar të thyej këtë rekord.
Firefox 3 është lëshuar për shpërndarje më 17 qershor dhe atë ditë është shkarkuar nga më shumë se tetë milionë shfrytëzues. Komisioni i Guinness nuk ka mundur të marrë këtë të dhënë si punë të kryer dhe është dashur të kontrollojë të gjitha regjistrat në server dhe të largojë shkarkimet e dyfishta si dhe ata që nuk kanë arritur ta shkarkojnë deri në fund, e të tillë në orët e para kanë qenë të shumtë, sepse serveri ka qenë nën ngarkesë të jashtëzakonshme.
Një ditë para fillimit të shpërndarjes serveri ka rënë sepse ka qenë i madh numri i shfrytëzuesve të flaktë të cilët kanë ardhur të shikojnë nëse Firefox 3 ishte në dispozicion për tu shkarkuar. Në momentin kur ka filluar të shkarkohet serveri ka përpunuar 9.000 shkarkime në minutë, e vetëm gjatë pesë orëve të para është thyer rekordi i Firefox 2 prej 1.6 milionë shkarkimeve në ditë.
Pas dy javësh kontrollimesh numri zyrtar i shkarkimeve është 8.002.530 dhe ai është i mjaftueshëm që Firefox të hyj në 'Librin e Rekordeve Guinness’.
Paul Kim, shef i marketingut në Mozilla, u ka thënë të gjithë të punësuarve se tani mund të shkojnë të pushojnë lirshëm dhe të përgatiten për ndejën të cilën planifikojnë ta organizojnë me rastin e dorëzimin të certifikatës nga ana e Komisionit të Guinness.
www.getfirefox.com