
Kompania informatike amerikane Intel edhe më tutje mbetet prodhuesi kryesor botëror i kartelave grafike me 47.3 për qind të pjesëmarrjes në treg të realizuar në tremujorin e dytë të këtij viti, ka bërë të njohur instituti hulumtues amerikan Jon Peddie Research - JPR.
Në periudhën nga prilli deri në qershor, aktorë të ndryshëm në tregun e kartelave grafike kanë shitur gjithsejtë 94.4 milionë kartela, që paraqet rënie të përgjithshme prej 0.5 për qind në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti.
Arsyeja për këtë rënie të vogël është ngadalësimi tradicional i shitjes gjatë tremujorit të dytë, kanë transmetuar mediat elektronike franceze.
Qarkullimi global në tregun e kartelave grafike, megjithatë, është rritur për një vit afro 16 për qind.
Pas Intelit, në tregun e kartelave grafike pasojnë konkurrentët lokal "nVidia" me pjesëmarrje në treg gjatë tremujorit të dytë prej 31.4 për qind dhe AMD (Advanded Micro Devices) me pjesëmarrje prej 18.1 për qind.
Në segmentin e desktopëve, pjesëmarrja e Intelit përbën 41.5 për qind, pasuar nga "nVidia" me 36 dhe AMD me 18.3 për qind.