Klasë e mesme laramane e laptopëve nga Dell

Seria e re e laptopëve të Dell e emëruar Studio sipas kualitetit dhe mundësive është diku në mes të modeleve më të dobëta nën emërtimin Inspiron dhe serisë së fuqishme XPS.
Kur merret parasysh se bëhet fjalë për një seri të plotë të laptopëve, specifikat do të dallojnë varësisht nga modeli i përzgjedhur, por të gjithë do të kanë procesor Intel Core 2 Duo, deri në 4 GB RAM memorie, SATA HDD me kapacitet deri në 320 GB për ruajtje të dhënave si dhe grafikë të integruar të Intel apo ndonjë kartelë të ATI-së të klasës së mesme të ulët (3450 apo 3650).
Madhësia e ekranit do të jetë nga 15.4 deri në 17 inç, derisa tërë serinë do të zbukurojë një dizajn shumë elegant dhe shtëpizat në 11 ngjyra të ndryshme.
Çmimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nis prej 799 dollarësh për modelin më të dobët të kësaj serie.