Reklamat afër videove të popullarizuara të YouTube
Kur e pat blerë Google shërbimin për video materiale, YouTube, të gjithë jemi pyetur kur do t’ia nisë të mbulojë faqen me reklama dhe prej saj të nxjerrë profit sa më të madh. Prej sot e tutje nuk kemi nevojë të pyesim më.
Google ka deklaruar se ka një program të ri për lidhjen e reklamave me videot e popullarizuara në YouTube. Softueri i veçantë parasheh popullaritetin e videos sipas numrit të shikuesve, vlerësimeve dhe ruajtjes së tyre në Favorites. Ky lloj i reklamimit quhet buzz marketing.
Në muajin mars të këtij viti pothuajse 85 milionë njerëz kanë shikuar 4.3 miliardë video në YouTube, ka thënë agjencia për hulumtime ComScore.
Klienti i parë i cili e ka përdorur buzz marketing është Lions Gate Entertainment. LGE ka vendosur të promovojë filmin e vet të ri "The Forbidden Kingdom", i cili ka dalë në shitje këtë muaj.
|