Të ushqehesh me peshk të paktën një herë në javë ngadalëson plakjen e trurit, ndërsa dhjamosja në mesomoshë e dyfishon rrezikun e çmendurisë. Këto janë rezultatet e studimit më të fundit të kryer nga shkencëtarët amerikanë. Acidet yndyrore Omega-3 që gjenden te peshqit kanë treguar se mund të gjallërojnë funksionin e sistemit mendor, të ulin rrezikun e ndonjë "dëmtimi" dhe të ushqehesh me peshk në mënyrë të rregullt duket se mbron trurin dhe moshën e tij te njerëzit, sipas studimit gjashtëvjeçar në çikago. "Shkalla e çmendurisë mendore ka pësuar rënie duke arritur 10 për qind, me 13 për qind në vit, ndërmjet personave që kanë konsumuar një apo më shumë vakte me peshk në javë, krahasuar me ata që e konsumojnë më rrallë këtë ushqim", shkruan Martha Clare Morris e Universitetit Rush Medical Center në çikago. "Shkalla e rënies është e barasvlefshme me të qenit tre apo katër vjet më i ri në moshë", shtoi ajo në një raport të publikuar në revistën "Archives of Neurology". Sëmundja e Alzheimerit dhe lloje të tjera të çmendurisë janë probleme serioze në botë, veçanërisht në vendet e zhvilluara në popullsinë e moshuar. Në studime të tjera të publikuara në të njëjtën revistë, shkencëtarët suedezë nga instituti "Karolinska" në Stokholm kanë arritur në përfundimin se dhjamosja, presioni i lartë i gjakut, dhe nivelet e larta të kolesterolit në mesomoshë, secila prej tyre dyfishon rrezikun e çmendurisë në jetë, kur njeriu plaket. Subjekte që kanë vuajtur nga të tria këto probleme të shëndetit në mesomoshë kanë shumëfishuar rrezikun e zhvillimit të çmendurisë gjashtë herë në krahasim me njerëzit që kanë qenë të lirë nga këta faktorë, tha ajo. Afërsisht 1 500 subjekte që kanë qenë pjesë e këtij studimi që ka filluar që në vitin 1972 u riekzaminuan. 16 për qind e tyre, që ishin të shëndoshë në mesomoshë ishin në rrezik të dyfishtë nga çmenduria, në krahasim me një të katërtën e atyre me peshë normale në mesomoshë dhe gjysma e atyre që kanë qenë pak në mbipeshë. "Dhjamosja në mesomoshë, presioni i lartë i gjakut dhe sasia e lartë e kolesterolit ishin të gjithë domethënëse për rrezikun ndaj çmendurisë, secili prej tyre e rriste këtë rrezik në rreth dy herë", shkruan autorja e studimit, Miia Kivipelto. Të ushqehesh me peshk në mënyrë të rregullt, shkencërisht është e lidhur me uljen e rrezikut të çmendurisë dhe sëmundjeve të lidhura me të, dhe disa studime të kryera te kafshët kanë treguar se acidet yndyrore omega-3 të njohura si ADH (docosahexaenoic acid) luajnë një rol të rëndësishëm në memorien e një njeriu gjatë procesit të plakjes. Në këtë studim shkencëtarët kanë gjetur lidhjen ndërmjet rënies së aftësive njohëse të moshës së vjetër në më shumë se 4 000 pjesëtarë të moshave 65 vjeç e sipër në projektin "Shëndeti në çikago dhe plakja". Shkencëtarët kanë intervistuar pjesëtarët çdo tre vjet dhe kanë vëzhguar me kujdes funksionin e trurit të tyre dhe kontrollin mbi ushqimin. Pas më shumë se gjashtë vjetësh ndjekjeje të këtij procesi, shkencëtarët dolën në përfundimin se sa më shumë peshk të konsumojnë njerëzit, aq më ngadalë plaket truri i tyre. Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se vlerat mirë-bërëse të peshkut rriten edhe pas shtimit të elementëve të tjerë ushqyes si frutat dhe perimet. "Ky studim tregon se sa më shumë peshk të konsumojmë, aq më mirë e trajtojmë trurin duke ruajtur rininë e tyre", shkruajnë shkencëtarët në gazetë. "Ne premtojmë studime të mëtejshme mbi ushqimin me peshk për të kuptuar më qartë lidhjen ndërmjet peshkut dhe trurit të njeriut".
Zhvillimi i trurit në fetus
Nënat shtatzënë duhet të ushqehen me peshk gjatë tremujorit të dytë
Studimet e fundit kanë treguar se peshku mund të quhet ndryshe edhe ushqimi i trurit, të paktën ata lloje peshqish që kanë nivel të ulët të merkurit. Në një studim ku morën pjesë 135 nëna dhe foshnjat e tyre, shkencëtarët në shkollën mjekësore Harvard në Boston zbuluan se konsumimi i peshkut nga nënat gjatë shtatzënisë ndihmon në zhvillimin e trurit të foshnjave. Sa më i madh të jetë konsumi i peshkut nga nëna gjatë tremujorit të dytë, aq më mirë ndodh zhvillimi i trurit te foshnja 6 muajsh, sipas një testi standard të zhvillimit të trurit. Nga ana tjetër, kur nënat kanë qartësisht nivele të larta të merkurit, siç matet nga kampionet e flokëve, fëmijët e tyre kanë relativisht më pak mundësi zhvillimi. Ky ndërlikim, sipas shkencëtarëve, ndodh ngaqë peshku mund të jetë një ushqim i mirë për gruan gjatë shtatzënisë, por vetëm nëse ajo konsumon llojet e peshkut që kanë nivele të ulëta merkuri. Merkuri është një metal që ndikon në ambient qoftë në mënyrë natyrale, qoftë si papastërti nga përpunimet industriale. Shumë peshq kanë nivele normale të merkurit, por disa kanë shumë, sidomos peshqit që jetojnë gjatë, pasi akumulimi i papastërtive gjatë jetës së tyre mund të ndikojë edhe në dëmtimin e trurit të foshnjave që ushqehen me të. "Gratë duhet të ushqehen vazhdimisht me peshk gjatë shtatzënisë, por duhet të zgjedhin llojet që nuk janë të kontaminuar me merkur", shprehet dr. Emily Oken. Foshnjat fitojnë 4 pikë më shumë për çdo javë që nëna e tyre ushqehet me peshk gjatë tremujorit të dytë të shtatzënisë. Në kontrast, nëse nëna merr peshk me merkur, pikët e zhvillimit të trurit te foshnja ulen.
Llojet me omega-3
Peshku, sidomos llojet e yndyrshme të tij si, salmoni dhe tuna, janë një burim i pasur i acideve yndyrore omega-3, që janë thelbësore për zhvillimin e trurit dhe funksionimin normal të tij. Konsumi i këtij ushqimi, të paktën një herë në javë, eliminon plakjen e trurit në masën 13 për qind, duke i dhuruar mendjes njerëzore 3-4 vjet më shumë rini.
|